Nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit për zgjerimin e vizitave shtëpiake në mes të AMC-së dhe UNICEF-it

05 Qershor 2019, Prishtinë

Fondacioni humanitar Action for Mothers and Children përgjatë muajit Maj filloi partneritetin me organizatën ndërkombëtare UNICEF—programi në Kosovë. Programi i UNICEF-it në Kosovë fokusohet në rritjen dhe zhvillimin e fëmijëve pa dallime, forcimin e kapaciteteve të institucioneve në nivel qendror dhe lokal për të zhvilluar dhe ofruar shërbime cilësore për fëmijët dhe në mbështetjen e fëmijëve, adoleshentëve, vajzave dhe djemve, prindërve dhe komuniteteve për të kërkuar të drejtat e tyre dhe për të marrë pjesë në zhvillimin e komunitetit në mënyrë që çdo fëmijë të ndihet i barabartë.

“Vizitat Shtëpiake’ është program i Ministrisë së Shëndetësisë dhe UNICEF, program ky I cili synon ofrimin e shërbimeve shtëpiake ne komunat e Kosovës si një qasje për të përmirësuar më tej shëndetin dhe mirëqenien e fëmijëve, duke ndërtuar besimin mes infermierëve / punonjësve socialë dhe komunitetit për përforcimin e sistemeve të mjekësisë familjare. Vizitat në shtëpi ndihmojnë familjet në identifikimin e problemeve të të posalindurit, duke përfshirë shenja të sëmundjeve dhe në të njëjtën kohë përkrahen praktikat si të ushqyerit me qumësht të gjirit, vaksinim me kohë dhe të plotë, ne kontribuojmë që fëmija të rritet dhe të zhvillohet më mirë në arritjen e potencialit të plotë të fëmijës.

Me programin e vizitës në shtëpi, qëllimi ynë i përgjithshëm është rritja e njohurive të stafit mjekësor, grave shtatzëna dhe nënave të reja në kujdesin antenatal, kujdesit pas lindjes, depresionit pas lindjes, zhvillimi i fëmijës së moshë të hershme (0-3 vjeç), roli i partnerëve dhe anëtarëve të tjerë të familjes për të ofruar mbështetje, zgjerimin dhe fuqizimin e ofruesve të kujdesit shëndetësor në mbarë Kosovën përmes programeve të trajnimit dhe angazhimit në aktivitetet arsimore”, thuhet në njoftimin për media.

Në të njëjtën kohe AMC dhe UNICEF do implementojnë programin ‘ushqyeshmeria e fëmijëve’ e cila fokusohet ne mjetet, udhëzimet dhe rekomandimet për ushqyeshmërinë e shëndetshme të fëmijëve të cilat do zhvillohen, miratohen dhe shpërndahen nga ministria e shëndetësisë dhe ministria e arsimit dhe gjithashtu do integrohen në programet mësimore në parashkollorë dhe shkolla fillore, e gjithë kjo me qëllim të krijimit të shprehive të ushqyeshmërise së shëndetshme tek fëmijët.