Medikamenti ‘Surfaktant’ në vlerë prej 84,260$ u dhurua sot në QKUK

Medikamenti ‘Surfaktant’ në vlerë prej 84,260$ u dhurua  në QKUK

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës përkatësisht në Klinikën e Neonatologjisë, u bë dorëzimi i medikamentit Surfaktant, donacion ky i bërë i mundshëm përmes bashkëpunimit të suksesshëm dhe të vazhdueshëm në mes të Aksionit për Nëna për Fëmijë dhe organizatës ndërkombëtare AmeriCares. Sasia e donacionit me medikamentin Surfakant “Survanta” është gjithsej 220 shishe apo në vlerë monetare 84,260.00 $. Kjo sasi njëkohësisht mbulon nevojën vjetore të furnzimit me këtë medikament jetëshpëtues.

Foshnjat që përjetojnë probleme të frymëmarrjes, kanë mungesë të surfaktantit – shtresë e lëngshme brenda mushkërive. Bebet zakonisht nuk fillojnë prodhimin surfaktantit deri disa javë pas lindjes. Pa sasi të mjaftueshme të surfaktantit vjen deri tek kolapsi i mushkërive dhe foshnjat e parakohshme nuk mund të marrin frymë. Andaj, Surfaktanti është thelbësor në parandalimin dhe trajtimin e RDS (Sindromit të Distresit Respirator) dhe redukton shkallën e vdekshmërisë të shkaktuar nga RDS. Gjatë 10 viteve të fundit, donacionet e Surfaktantit kanë shpëtuar jetën e më shumë se 6000 foshnjave të lindura parakohe dhe me peshë të ulët në Kosovë.

Aksioni për Nëna dhe Fëmijë angazhohet për shëndet më të mirë të nënave dhe fëmijëve në Kosovë. Misioni i AMC-së është shpëtimi i jetëve dhë përmirësimi i shëndetit të foshnjëve, nënave dhe fëmijëve në Republikën e Kosovës. Për ta arritur misionin e saj, AMC zbaton projekte dhe programe të ndryshme të cilat kanë ndikim të madh dhe të qëndrueshëm në sistemi shëndetësor dhe ofrojnë zgjidhje afatgjata.