
Tryeza e Rrumbullakët: Përmbledhje e Politikave: Infeksionet Seksualisht të Transmetueshme (IST) në Kosovë
04.02.2025
Situata Aktuale e IST-ve në Kosovë – Sfidat dhe Mundësitë për Përmirësim
Më 4 shkurt 2025, në ambientet e Hotel Sirius, Prishtinë, u mbajt Tryeza e Rrumbullakët mbi Infeksionet Seksualisht të Transmetueshme (IST) në Kosovë, e organizuar nga Action for Mothers and Children (AMC) në kuadër të projektit të mbështetur nga Canada Fund for Local Initiatives (CFLI). Qëllimi i kësaj tryeze ishte prezantimi i Përmbledhjes së Politikave mbi IST, e hartuar nga Dr. Murat Mehmeti, infektolog, si dhe diskutimi mbi sfidat kryesore dhe hapat e ardhshëm për përmirësimin e gjendjes së IST-ve në Kosovë.
TË GJETURAT KRYESORE
Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), numri i rasteve të raportuara me IST është rritur ndjeshëm, duke reflektuar nevojën për masa më të fuqishme në parandalim, testim dhe trajtim. Rajoni i Prishtinës u identifikua si më i prekuri, me 101 raste të regjistruara, ndër të cilat infeksioni me kondiloma (lytha gjenitale) përbën shumicën e rasteve. Një nga sfidat më të mëdha të identifikuara është mungesa e qasjes në testim dhe trajtim, ku testet për IST janë të disponueshme vetëm në IKSHPK në Prishtinë, ndërsa Qendrat Rajonale të Shëndetësisë Publike dhe Spitalet Rajonale nuk ofrojnë këto teste. Për këtë arsye, shumica e pacientëve drejtohen në laboratorë privatë, duke përballuar kosto të larta financiare për shërbime diagnostikuese. Një tjetër problematikë e rëndësishme është stigmatizimi i grupeve të cenueshme, si punonjësit e seksit, burrat që kryejnë marrëdhënie seksuale me burra dhe personat që injektojnë drogë. Këto grupe shpesh përballen me diskriminim në qasjen ndaj shërbimeve shëndetësore, duke ndikuar drejtpërdrejtnë përhapjen e IST-ve në popullatë.
Gjithashtu, u theksua se edukimi seksual i pamjaftueshëm ka një ndikim negativ në ndërgjegjësimin dhe parandalimin e IST-ve. Sipas një studimi, vetëm 53% e të rinjve në Kosovë besojnë se kanë njohuri
të mjaftueshme për IST-të, çka dëshmon për nevojën e futjes së edukimit seksual në kurrikulat shkollore dhe organizimin e fushatave ndërgjegjësuese.Një sfidë tjetër madhore është mungesa e burimeve financiare për testimin dhe trajtimin e IST-ve. Financimi i pamjaftueshëm kufizon testimin falas dhe zgjerimin e kapaciteteve të laboratorëve në nivelin e kujdesit primar dhe sekondar shëndetësor, duke ndikuar drejtpërdrejt në efikasitetin e përgjigjes shëndetësore ndaj IST-ve.
NDËRHYRJA E MINISTRISË SË SHËNDETËSISË
Përfaqësuesit e Ministrisë së Shëndetësisë theksuan se gjetjet e raportit janë në përputhje me Dokumentin Strategjik dhe Planin e Veprimit për HIV, TB dhe IST 2025-2027. Ata nënvizuan nevojën për zgjerimin e shërbimeve të testimit dhe përmirësimin e qasjes në trajtim për IST, duke përfshirë decentralizimin e testimit në të gjitha qendrat rajonale të shëndetit publik dhe spitalet rajonale. Gjithashtu, një tjetër sfidë që u trajtua gjatë diskutimit ishte mungesa e raportimit të rasteve të IST-ve nga institucionet shëndetësore përkatëse, ku rrjedhimisht u diskutua nevoja për përmirësimin e
koordinimit mes institucioneve për të pasur një pasqyrë më të qartë të situatës epidemiologjike në vend.
DISKUTIMI ME ORGANIZATAT JOQEVERITARE
Në këtë tryezë, përfaqësuesit e OJQ-ve ngritën çështjen e intensifikimit të bashkëpunimit midis Ministrisë së Shëndetësisë dhe sektorit joqeveritar, me qëllim përmirësimin e situatës së IST-ve në
Kosovë. Ata theksuan rëndësinë e avokimit, ndërgjegjësimit dhe edukimit të komunitetit, si mjete kyçe për parandalimin dhe menaxhimin më të mirë të IST-ve.
Në këtë kontekst, OJQ-të mund të luajnë një rol kyç në organizimin e fushatave informuese, në shpërndarjen e materialeve edukative, si dhe në rritjen e ndërgjegjësimit të publikut mbi IST-të.
Gjithashtu, u diskutua mbi rolin e OJQ-ve në uljen e stigmës, duke punuar drejtpërdrejt me komunitetet e prekura për të krijuar një mjedis më gjithëpërfshirës dhe mbështetës për individët e prekur nga IST-të.
PËRFUNDIM
Tryeza përfundoi me një konsensus të gjerë mbi nevojën për një qasje të integruar dhe bashkëpunuese midis institucioneve shtetërore dhe organizatave të shoqërisë civile, për të adresuar në mënyrë
efektive sfidat që lidhen me IST-të në Kosovë. U theksua rëndësia e rritjes së qasjes në testim dhe trajtim, si dhe forcimi i përpjekjeve për edukim dhe ndërgjegjësim publik mbi IST-të.
Për të arritur rezultate të qëndrueshme, është e domosdoshme që institucionet shtetërore, organizatat joqeveritare dhe partnerët ndërkombëtarë të bashkëpunojnë ngushtë, duke synuar një qasje
gjithëpërfshirëse dhe afatgjatë për përmirësimin e shëndetit publik në Kosovë.