Mbi 1,000 Pap-teste pa pagesë të realizuara në kuadër të pilot projektit për skiningun e kancerit të qafës së mitrës

Vazhdon me sukses implementimi i pilot projektit për skriningun e kancerit të qafës së mitrës, projekt ky që po realizohet për herë të parë në nivelin e kujdesit shëndetësor primar, në Komunën e Prishtinës. Që nga fillimi i projektit në muajin Korrik, mbi 1000 Pap-teste janë realizuar pa pagesë në tri qendra të mjekësisë familjare në Prishtinë, e që janë Qendra Kryesore të Mjekësisë Familjare tek Qafa, Qendra e Mjekësisë Familjare 5 në Ulpianë dhe Qendra e Mjekësisë Familjare 6 në Kodrën e Diellit.

Ky rezultat është arritur falë nivelit të lartë të interesimit nga vajzat dhe gratë për kryerjen e testit dhe falë punës së palodhshme të stafit mjekësor në Qendrat e Mjekësise Familjare dhe Institutin e Anatomisë Patologjike.

Në vazhdën e këtij pilot projekti, të gjitha gratë dhe vajzat nga Komuna e Prishtinës ftohen të kryejnë Pap-testet pa pagese. Të gjitha materialet informuese tashmë ndodhen në të gjitha qendrat e mjekësisë familjare në Prishtinë ku mund të orientohen për termine, apo edhe të orientohen përmes videos informuese në mediume dhe rrjete sociale.

Ky pilotim është mundësuar përmes bashkëpunimit në mes të Drejtoratit Komunal për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale te Komunës se Prishtinës, Bordit Nacional për Kontrollin e Kancerit, Qendrës Kryesore te Mjekësisë Familjare ne Prishtine, Institutit te Anatomisë Patologjike pranë Qendrës Klinike Universitare te Kosovës dhe Aksionit për Nena dhe Fëmijë, me donatorë Fondin për Popullsi i Kombeve të Bashkuara – UNFPA, Organizatën Botërore të Shëndetësisë – OBSH dhe 700 for Science Foundation.