Letra e fund-vitit nga Aksioni për Nëna dhe Fëmijë

Të dashur miq,

Në prag të fundit të 2014tës, po ju dërgojmë falenderimet më të sinqerta të gjithë juve anembanë botës për përkrahjen dhënë Aksionit për Nëna dhe Fëmijë tërë këtë vit.

Kosova po vazhdon të ketë shkallën më të lartë të vdekshmërisë së foshnjeve në Europë dhe nevoja për të përmirësuar kujdesin shëndetësor ndaj nënës e fëmijës mbetet e padiskutuar.

Në vitin 2000, shkalla e vdekshmërisë së foshnjeve në Kosovë ishte 29 vdekje në 1,000 lindje, shkalla më e lartë në Europë. Sot, kjo shkallë ka rënë në rreth 16 vdekje në 1,000 lindje falë punës së shumë individëve dhe përpjekjeve të palodhshme edhe të Aksionit për Nëna dhe Fëmijë përmes miqve e përkrahësve si ju.

Ishte inspiruese të shohim donatorët e shumtë të përkrahin fondacionin tonë gjatë 2014tës. Në vitin që po e lëmë pas, rreth 300 fëmijë janë shpëtuar dhe rreth 800 nëna janë ndihmuar përmes programeve të fondacionit të zhvilluara në bashkëpunim me Geisel School of Medicine në Dartmouth, Amerikë dhe ndihmën e bizneseve kosovare në formë të trajnimeve, furnizimit me medikamente, pajisjeve mjekësore, hulumtimeve shëndetësore dhe programeve edukative.

Këta numra tregojnë rolin e fuqishëm të përkrahjes suaj dhe reflektojnë besimin tonë se fondacionet humanitare nuk mund të qëndrojnë pa ju!

Në planin tonë për vitin 2015 ne do të sigurohemi që:

1. foshnjet nuk humbin jetën në mungesë të medikamentit jetik të Surfaktantit;
2. programet tona hulumtuese të kenë krijuar bazën për luftën tonë avokuese që zëri i fëmijës dhe nënës për një kujdes më të mirë shëndetësor të dëgjohet, dhe
3. Qendra Informuese për Shëndetin e Gruas të zgjerohet ashtu që çdo nënë të ketë çasje në informatën dhe kujdesin që i duhet.

 

Viti 2015 do ta gjejë Aksionin duke zhvilluar një sistem të rregullt e transparent të komunikimit me donatorët, me një Komitet funksional Mjekësor dhe me aktivitete interesante që synojnë të sigurojnë fonde për të shpëtuar fëmijët. Sfida jonë kryesore gjatë 2015tës do të jetë të sigurojmë që heroizmi i fëmijëve që po luftojnë me jetën dhe qëllimet e sinqerta humanitare të bizneseve vendore të bashkohen.

E ardhmja duket optimiste, por Aksionit për Nëna dhe Fëmijë i duhet përkrahja juaj e vazhdueshme. Na lejoni të ju kujtojmë që ANF është fondacion humanitar që luan një rol të rëndësishëm në jetët e fëmijëve dhe nënave anembanë Kosovës duke ndihmuar kështu t’sigurojmë një sistem më të mirë të kujdesit ndaj tyre.

E derisa po ndajmë me ju arritjet tona të 2014tës përmes kësaj letre, mbesim me shpresë se do t’gjejmë përkrahjen tuaj edhe vitin e ardhshëm.
Përkrahja juaj e bënë misionin tonë më të fuqishëm dhe të arritshëm. Urimet më të përzemërta për vitin 2015!

Bordi i Drejtorëve dhe Stafi i ANF-së