Lansohet programi i skriningut të kancerit të qafës së mitrës në Komunën e Prizrenit

19 Qershor, 2018

Sot zyrtarisht u lansua programi i Skriningut të Kancerit të Qafës së Mitrës në Komunën e Prizrenit, program ky që po bëhet i mundur si rrjedhojë e suksesit të programit në Prishtinë. Ngjarja sot u realizua me qëllim të prezantimit të programit mbi skriningun e kancerit të qafës së mitrës në Prizren, që është pjesë e Programit Nacional për Kontrollin e Kancerit në Kosovë. Ky program është njëkohësisht hapi i rradhës drejt zgjerimit të programit të skriningut në nivel nacionit.

Ky program do të mundësoj ofrimi e Pap testit për rreth 400 gra nga Komuna e Prizrenit, gjatë fazes së pare të implementimit, gjegjësisht në vitin 2018. Po ashtu, do të ndërtohen kapacitetet për skrining brenda Kujdesit Parësor Shëndetësor (KPSH) në Prizren, si dhe do të ndërtohet algoritmi procedural që rregullon sistemin e bashkëpunimit në mes të KPSH dhe Kujdesit Dytësor Shëndetësor- Laboratorit të Patologjisë.

Përpos ofrimit të këtij shërbimi të ri në kuadër të kujdesit parësor, palët synojnë po ashtu që të inicojnë diskutime në mes të institucioneve dhe grupeve të interesit me qëllim të hartimit dhe implementimit të politikave shëndetësore që ndërtojnë një sistem cilësor të skriningut të kancerit të qafës së mitrës si e drejtë shëndetësore, e paraparë me Ligjin për Shëndet Riprodhues, si dhe e planifikuar në  Programin Nacional për Kontrollin e Kancerit.

Ky program, përmes Pap testeve për gratë dhe vajzat nga Komuna e Prizrenit do të mundësoj zbulimin e hershëm të qelizave jonormale të qafës së mitrës dhe trajtimin e tyre me sukses për të parandaluar kancerin e qafës së mitrës.

Dr. Visare Mujko Nimani tregoi mbi punën e suksesshme të ketij programi në Prishtinë dhe se tani mundësia e Pap-testeve pa pagese do t’iu mundësohet edhe grave dhe vajzave të Komunës së Prizrenit. Ajo po ashtu theksoi dhe falenderoi edhe Bordin Nacional per Kontrollin e Kancerit në Ministrine e Shëndetesisë për përkrahjen e vazhdueshme në zgjerimin e programit të skriningut.

Përgjatë takimit z. Mytaher Haskuka, Kryetari i Komunës së Prizrenit u shpreh “Jemi të kënaqur qe po e lansojmë këtë projekt në Prizren dhe do ta ketë mbështetjen e plotë të Komunës”

“Ne jemi të lumtur që ka filluar të ndërtohet një sistemi cilësor i skriningut të kancerit të qafës së mitrës duke filluar me Komunën e Prishtinës dhe tani edhe në Komunën e Prizrenit. Ne si organizatë jemi të përkushtuar ndaj ofrimit të ndihmës sonë për shpëtimin e jetëve të nënave dhe do vazhdojmë të punojmë në implementimin e sukseshëm të këtij programi nëpër Kosovë” tha për fund Dafina Krasniqi, Kordinatore e Programeve, në Aksionin për Nëna dhe Fëmijë. 

Ky projekt është rezultat i bashkëpunimit në mes të Drejtoratit Komunal për Shëndetësi të Komunës së Prizrenit, Bordit Nacional për Kontrollin e Kancerit- Ministria e Shëndetësisë, Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prizren, Spitalit të Përgjithshëm në Prizren dhe Aksiont  për Nëna dhe Fëmijë dhe mbështetet nga Fondi për Popullsi i Kombeve të Bashkuara UNFPA, zyra në Kosovë.