Lansohet koalicioni i organizatave joqeveritare për shëndetin dhe të drejtat seksuale dhe riprodhuese – K10

Prishtinë, 10 nëntor, 2016- Në një ngjarje zyrtare, sot u lansua Koalicioni K10, koalicion ky i pari i llojit të tij që mblodhi dhjetë organizata joqeveritare për shëndetin seksual dhe riprodhues dhe të drejtat e shëndetit riprodhues.

Aksioni për Nëna dhe Fëmijë ka marrë përsipër koordinimin e Koalicionin K10 i cili ka për synim të bëjë monitorimin dhe përmirësimin e politikave, infrastrukturës ligjore dhe vetëdijesimin mbi shëndetin dhe të drejtat seksuale riprodhues në Kosovë përmes punës së rregullt avokuese, të bazuar mbi evidencë dhe duke mobilizuar shoqëritë civile në një Koalicion. K10 synon të avokoj për ngritjen e fokusit qeveritar drejt shëndetit riprodhues, përfshirë këtu avokimin për ofrimin e shërbimeve për shëndetin riprodhues në kuadër të pakos bazike të shërbimeve shëndetësore.

“Aksioni për Nëna dhe Fëmijë ka prioritet përmirësimin e shëndetit seksusal riprodhues, e në këtë mënyrë, përmirësimin e shëndetit të nënave dhe fëmijëve. Koalicioni do të shërbejë si një trup avokues i pavarur dhe monitorues mbi politikat dhe ligjet e implementuara për shëndetin dhe të drejtat riprodhuese,”  u shpreh Dafina Krasniqi, Koordinatore e Programit nga Aksioni për Nëna dhe Fëmijë.

Për shëndet të mirë seksual dhe riprodhues, individët duhet të kenë qasje në informata të sakta dhe në metoda efektive, të volitshme dhe të pranueshme të kontracepsionit. Në këtë drejtim, informimi dhe fuqizimi i tyre për mbrojtjen nga infeksionet seksualisht të transmetueshme është shumë i rëndësishëm. Gratë dhe vajzat duhet të kenë qasje në shërbime që u mundësojnë atyre të kenë një shtatzani dhe lindje të sigurtë dhe foshnja të shëndetshme.

“Koalicioni K10 do të përkrah dhe facilitoj iniciativat e  anëtarëve të saj, siç janë komunikimi strategjik, bashkëpunimi dhe avokimi kolektiv për politika për mirëqenien me të mirë të grave, të rinjëve dhe komunitetit Kosovar që askush mos të jetë i lënë anash,” theksoi Dr. Visare Mujko-Nimani nga Fondi për Popullsi i Kombeve të Bashkuara – UNFPA, Zyra në Kosovë.

Ky projekt financohet nga Fondi për Popullsi i Kombeve të Bashkuara – UNFPA, Zyra në Kosovë, dhe ka mështetjen e Ministrisë së Shëndetësisë.