Filloi nisma “Çiklizmi rreth Kosovës për Fëmijët”

Një grup i madh i çiklistëve nisën udhëtimin 500km rreth Kosovës për të mbledhur fonde për shëndetin e nënave dhe fëmijëve.

Prishtinë, 5 Qershor 2015-
Pas nje ngjarje të suksesshme vitin e kaluar, organizohet ngjarja “Çiklizmi rreth Kosovës për Fëmijët” edhe këtë vit.

Mëngjesin e sotshëm u nisën nga Prishtina një grup prej rreth 20 çiklistësh në rrugëtimin e tyre përreth Kosovës për 3 ditë, në një distancë prej 500 km në të gjitha qytetet e Kosovës, veshur me fanellat ngjyrë verdhë. Çiklistët u nisën për në Mitrovicë, Pejë, Gjakovë, Prizren, Ferizaj, Gjilan, Kamenice dhe kthehen me datën 7 qershor përsëri në Prishtinë në ngjarjen përmbyllëse në Sabaja Bar (pranë stadiumit të futbollit në Prishtinë) në ora 1800.

Mark Dixon, njëri nga organizatorët e ngjarjes shprehet se “Jemi shumë të kënaqur me numrin e pjesëmarrësve në këtë udhëtim çiklistësh. Kjo nuk është garë, por aktivitet humanitar. Andaj lusim edhe kalimtarët dhe vozitësit e tjerë që na shohin gjatë udhëtimit këto ditë të kenë durimin dhe t’na mirëkuptojnë derisa kalojmë nëpër qytetet dhe fshatrat përreth Kosovës.”

Kjo ngjarje është ngjarje bamirëse në ngritje të fondeve për fondacionin “Aksioni për Nëna dhe Fëmijë.” “Të gjitha fondet e mbledhura do të shkojnë në përkrahje të programeve furnizuese për Klinikën e Neonatologjisë në QKUK, për shpëtimin e foshnjave”  – deklaron Arta Hasanaj, përfaqësuese nga Aksioni për Nëna dhe Fëmijë dhe vazhdon: “Ngjarje të këtilla për ngritje fondesh drejt shëndetit të nënës dhe fëmijës do të organizohen gjatë vitit dhe falenderojmë të gjithë ata që përkrahin nismat e tilla.”

Kjo ngjarje është nismë e dy çiklistëve ndërkombëtarë që jetojnë në Kosovë dhe përkrahet fuqishëm nga Eulex, Devolli Corporation, Uni Project, Sabaja, studio Drop dhe Pilot Bike.