Faleminderit Valon, mirë se vjen Mrika!

 

Të dashur miq të AMC-së,

 

Ju njoftojmë që konform statutit të fondacionit tonë, z. Valon Xharra, i cili ishte kryetar i bordit tonë, e ka përfunduar këtë detyrë pas dy mandateve radhazi në periudhën katër vjeçare 2018-2021.

 

Që nga ardhja e z. Xharra në krye të bordit të AMC-së, fondacioni ynë ka bërë hapa të mëdhenj drejt zhvillimit, si në fonde ashtu edhe në rrjetëzim e zgjerim me programe e projekte të reja. Një ndër sukseset më të mëdha  për AMC-në në kohën sa bordi udhëhiqej nga z. Xharra ka qenë organizimi i ngjarjes bamirëse vjetore “Meet us Halfway” në New York të Amerikës, ku për vite me radhë arritëm që të mbledhim mijëra dollarë për të mbështetur programet e AMC-së që gjithmonë në fokus kanë përmirësimin e shëndetit të nënave dhe fëmijëve në Kosovë.

 

Ne dëshirojmë që të shprehim mirënjohje dhe falënderim të veçantë për kontributin e z. Xharra ndaj misionit të AMC, kontribut ky i cili e ka shndërruar fondacionin tonë në një prej organizatave joqeveritare kryesore në Kosovë. Njëkohësisht, jemi shumë të lumtur që z. Xharra do ta vazhdoj kontributin e tij në AMC, në pozitën e zëvendës kryetarit të bordit.

 

Ju njoftojmë poashtu që me vendim të bordit të AMC-së, znj. Mrika Aliu është zgjedhur kryetare e bordit me mandat dyvjeçar për periudhën 2022-2023. Znj. Aliu, e diplomuar në studimet Master në Shëndet Publik nga Kolegji Dartmouth në SHBA aktualisht punon si Specialiste për Zhvillim Njerëzor në Bankën Botërore me seli në Prishtinë. Ajo ishte Drejtore Ekzekutive e AMC-së prej vitit 2013 deri në 2019 dhe nën udhëheqjen e saj, AMC ka shtruar terrenin për implementimin e programeve dhe projekteve që adresojnë çështjet e shëndetit të nënës dhe fëmijës si furnizimi me ilaçe dhe pajisje mjekësore për klinikat në QKUK, përmirësimi i cilësisë për të adresuar qasjen në shërbimet e kujdesit shëndetësor, si dhe duke avokuar me hisedarët e kujdesit shëndetësor në Kosovë për politika të ndryshme shëndetësore.

 

Jemi shumë të bindur që znj. Aliu, z. Xharra dhe të gjithë anëtarët e bordit të AMC-së, me përvojën dhe vullnetin që kanë, do të vazhdojnë me punën e tyre të mirë dhe do ta rrisin edhe më shumë ndikimin pozitiv që AMC ka në shëndetin e nënave dhe fëmijëve në vend.