Dhurohet pajisja për diagnostifikimin e sëmundjeve të zemrës tek foshnjet në Klinikën e Neonatologjisë

-01 Qershor 2018, Prishtinë

Aksioni për Nëna dhe Fëmijë së bashku me partnerin Bankën Raiffeisen në Kosovë po e shënojnë 1 Qershorin, Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, pak më ndryshe! Sot, ata bënë dorëzimin e pajisjes EhosonografQendrën Klinike Universitare të Kosovës, pajisje kjo që do të mundësojë një shërbim të ri për fëmijët në Klinikën e Neonatologjisë në Prishtinë, duke përçuar kështu porosinë e mbrotjes dhe promovimit të të drejtave shëndetësore për fëmijët.

Pajisja Ehosonograf mundëson diagnostikimin e të gjitha sëmundjeve të zemrës tek foshnjet, gjakderdhjeve të brendshme, infeksioneve, anomalive të sistemit nervor qendror, anomalive të sistemit urogjenital, funksonimin e zorreve dhe shumë sëmundje të tjera. Me dorëzimin e Ehosonografit ky shërbim dhe diagnostikim do mundësohet tani në Klinikën e Neonatologjisë në QKUK.

Ministiri i Shëndetësisë z. Uran Ismaili shfrytëzoi rastin që përmes përurimit të donacionit të pajisjes të ndajë falenderimet e tij të veҫanta edhe për stafin shëndetësorë të Klinikës së Neonatologjisë për punën e tyre të palodhshme drejt ofrimit të shërbimeve mjekësore shumë cilësore, ku njëherit theksoi përkushtimin e Ministrisë për mbështetje të vazhdueshme.

“Banka Raiffeisen vazhdimisht i ka kushtuar vëmendje të veçantë përkrahjes së shëndetësisë. Meqenëse shëndetësia është një fushë më specifike, na ka ndihmuar shumë bashkëpunimi që kemi me organizatën Aksioni për Nëna dhe Fëmijë, përmes së cilës edhe e kemi realizuar këtë donacion. Ne jemi shumë të kënaqur që kjo pajisje do t’i mundësojë Klinikës Neonatologjike të ofrojë shërbime të reja që deri më tani nuk janë ofruar ndërsa Banka Raiffeisen do të vazhdojë të shikojë për mundësi të tjera për ta ndihmuar shëndetësinë,” u shpreh Z. Robert Wright, drejtor i Bankes Raiffeisen.

“Dhurimi i pajisjes së Ehosonografit do të mundësoj që për herë të parë të ofrohet shërbimi i diagnostikimit të shumë sëmundjeve dhe anomalive tek fëmijët në Klinikën e Neonatologjisë në QKUK, dhe si rezultat të ndihmojë në shpëtimin e jetëve të fëmijëve në vend. Jemi krenar të  qëndrojmë pranë partnerëve tanë sot dhe të vazhdojmë betejën për uljen e shkallës së vdekshmërisë së foshnjave në vend,” tha për fund Janinë Mehmeti, Koordinatore e Ngritjeve të Fondeve në Aksionin për Nëna dhe Fëmijë.