Pejë, 16 Shkurt 2018

Sot, Aksioni për Nëna dhe Fëmijë bashkë me organizatorët e “Çiklizmi rreth Kosovës për Fëmijët” dorëzuan aparatin për përcaktimin e Proteinës C Reaktive (CRP) në gjak dhe hemogramit në Klinikën e Neonatologjisë – aparat ky i nevojshëm për të përmirësuar dhe shpëtuar jetën e foshnjeve në Njësinë e Neonatologjisë në Pejë.

Aparati është i nevojshem për të përcaktuar nivelin e CRP-së në gjak dhe pasqyrën e gjakut te foshnjet e porsalindura, analiza këto të cilat ndihmojnë në diagnozën e infeksionit, nevojën për trajtim me antibiotikë, percjelljen e trajtimit, dhe kohën kur është e nevojshme që të ndërpritet antibioterapia. Pajisja do të ndikojë në përmirësimin e efikasitetit të shërbimeve të Klinkës dhe shpëtimin e foshnjave të posalindura.

“Ne si organizatë jemi të përkushtuar të ndihmojmë shpëtimin e jetëve të foshnjeve dhe punojmë në gjetjen e zgjidhjeve të problemeve me të cilat ballafaqohet Klinika. Është kënaqësi të dorëzojmë sot aparatin e CRP-së i cili do të përmirësojë efikasitetin dhe shërbimin e Klinikës ndaj shëndetit të foshnjeve,” tha Janinë Mehmeti, Koordinatore e Ngritjeve të Fondeve në Aksionin për Nëna dhe Fëmijë.

Ky aparat u sigurua nga fondet e ngritura nga turneu vendor “Çiklizmit rreth Kosovës për Fëmijët” e cila është një ngjarje bamirëse vjetore e çiklistëve vendor për të ngritur fonde për fondacionin humanitar “Aksioni për Nëna dhe Fëmijë.” Kjo ngjarje u realizua me sukses që nga viti 2014 me qëllimin që të ndihmojë përmirësimin e shëndetit të fëmijëve në vend.

“Jemi falenderues për angazhimin e organizatës në ngritjen e cilësisë së shërbimeve tona për përkujdesjen dhe trajtimin sa më cilësorë të posalindurve duke na dhuruar këtë aparat të CRP-së, me anë të së cilit na mundësohet diagnostifikimi profesional i të posalindurve si dhe detektimi i patologjisë,“ theksoi për fund Dr. Mirlinda Shala, Drejtoreshë e Klinikës së Neonatologjisë në Pejë.