Çiklizmi rreth Kosovës për Fëmijët ngrit Eur 13,179.80 për nënat dhe fëmijët

Prishtinë, 8 qershor 2016-

Pas 3 ditë rrugëtimi përreth Kosovës çiklistët u kthyen në Prishtinë ku u mirëpritën nga familjarët, shokët dhe dashamirët e tjerë. Në mëngjesin e datës 3 qershor një grup prej rreth 30 çiklistësh nisën udhëtimin e tyre bëmirës për herë të 3-të në një distancë prej 500km rreth e rreth Kosovës për tri ditë radhazi. E gjithë kjo ngjarje mbante prapa vetës karakterin humanitar, atë të ngritjes së fondeve për nënat dhe fëmijët.

Aktiviteti këtë vit arriti të sigurojë rreth Eur 13,179.80 përmes kontributeve të kompanive e individëve që mbështetën çiklistët, si dhe lojërave interesante që u zhvilluan me rastin e kthimit të heronjëve në Beer Garden në Prishtinë. Kontributet do të vazhdojnë të pranohen edhe për dy javë të tjera.

Albion Hadri, njëri nga organizatorët e ngjarjes dhe çiklist shprehet se “Edhe këtë vit kjo ngjarje u përmbyll me sukses. Sado që ishte i lodhshëm rrugëtimi, kauza për të cilën të gjithë ne pedalonim ishte më e fuqishme. Të gjithë çiklistët u kthyen shëndoshë e mirë; ani pse të lodhur, ia dolëm me sukses.”

“Çiklizmi rreth Kosovës për Fëmijët” është një ngjarje bëmirëse vjetore për të ngritur fonde për fondacionin humanitar “Aksioni për Nëna dhe Fëmijë” në mbështetje të programeve furnizuese për shpëtimin e foshnjeve në Klinikën e Neonatologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

“Aksioni për Nëna dhe Fëmijë s’do të mund të ekzistonte pa miqtë e tij e mbështetësit, sikur çiklistët – andaj iu jemi shumë mirënjohës. Fondet e ngritura nga ngjarja e këtij viti synojnë të sigurojnë monitorët kardiopulmonar për spitalin e foshnjeve të cilat masin të rrahurat e zemrës dhe frymëmarrjes tek bebet dhe lëshojnë sinjal kur këto të rrahura keqësohen. Kjo gjë padyshim mundëson trajtim më të shpejt për beben,” deklaron Mrika Aliu, drejtoreshë e Aksionit për Nëna dhe Fëmijë.

Ngjarja e çiklizmit u realizua me sukses në vitiet 2014 dhe 2015 dhe po rritet çdo vit. Fondet e siguruara në vitin 2014 siguruan aparatin e parë për përcaktimin e Proteinës C Reaktive (CRP) në Klinikën e Neonatologjisë që mundëson kryerjen e analizës së gjakut pranë shtratit të foshnjes dhe jo më në laboratorët jashtë klinikës. Ngjarja e vitit 2015 siguroi fotollampat të cilat mundësojnë trajtimin e verdhëzës tek foshnjet, Kjo ngjarje vjetore është nismë e dy çiklistëve ndërkombëtarë që jetojnë në Kosovë dhe u përkrah fuqishëm nga Eulex, Policia e Kosovës, Devolli Corporation, Astes Turkey, Rugove, BpB, Shtepiaku, On Line Studio, MoneyGram, UniProject, European Auto Care, Entermedia, VM3, dhe Beer Garden.