Çfarë do të mbulojnë sigurimet shëndetësore për shëndetin riprodhues?

Organizuar nga Koalicioni K10 i organizatave jo-qeveritare për shëndetin dhe të drejtat seksuale dhe riprodhuese dhe mbështetur nga Fondi për Popullsi i Kombeve të Bashkuara – UNFPA, Zyra në Kosovë, sot u organizua tryeza me qëllim të diskutimit të përmbajtjes së pakos bazike të sigurimeve shëndetësore të obligueshme, implementimi i së cilës është planifikuar të fillojë në Janar të 2017. Qytetarët do të kontribuojnë përmes pagesës së premiumeve në mbledhjen e fondeve, mirëpo cilat shërbime do t’u ofrohen atyre për një shëndet më të mirë seksual dhe riprodhues? Sa janë qytetarët të informuar se kur do të fillojë ofrimi i këtyre shërbimeve?

Këto pyetje u parashtruan në diskutimin që bashkoi përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë, institucioneve tjera vendore, organizatave ndërkombëtare dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Dr. Arsim Çavdarbasha, Drejtor i Agjensionit të Financimit të Shëndetësisë filloi tryezën duke theksuar se çdo fillim është i vështirë mirëpo se çdo fillim ështe shenjë e mirë e një ndryshimi të nevojshëm. Si rrjedhojë, me konsilidimin e shërbimit për ofrimin e Sigurimeve Shëndetësore, do të ngritet sasia, cilësia, dhe do te lehtësohet qasja ne sherbimet shëndetësore në vend, vazhdoi Dr. Çavdarbasha, pa e specifikuar sektorin. Pritet që ndryshimet në Ligj të bëhen gjatë tre-mujorit te parë të vitit 2017 dhe për të kaluar pastaj në pjesën teknike ku duhet të kalojë në Kuvend.

Dr. Valbon Krasniqi, Këshilltar Politik ne Ministrinë e Shëndetësisë, po ashtu theksoi se te gjitha pergatitjet janë bere për te filluar implementimin e skemës se sigurimeve te obligueshme shendetesore ne Janar te 2017. Skema fillimisht do te mundësojë mbulimin e listës esenciale te barërave spitalore, e cila përpilohet nga vete personeli mjekësor ne Qendrën Klinike Universitare te Kosovës, theksoi Dr. Krasniqi.

Ndërkohë që, bazuar në eksperiencën e gjatë në fushën e shëndetit riprodhues dhe mësimet e nxjerra nga misione ndërkombëtare të UNFPA, Dr. Visare Mujko-Nimani vlerësoi se kjo është një tryezë shumë e rëndësishme edhe pse ndoshta e mbajtur pak me vonesë. Dr. Mujko-Nimani tha se brenga e saj është se cka do të ndodhë me shërbimet shëndetësorë qe i përkasin periudhës para dhe pas shtatzënisë dhe lindjes? A do te mbuloj pakoja bazike shërbime parandaluese siç është skriningu i kacerit te qafës se mitrës, diabeti gjate shtatzënisë, trajtimi i infeksioneve seksualisht te transemtueshme? Dr. Mujko-Nimani me pas vazhdoi duke ndare informatat për modelet e suksesshme te sigurimeve te obligueshme shendetesore neper bote qe ofrojnë shume shërbime dhe barëra për shëndetin seksual dhe riprodhues.

Skeptikët ndanë shqetësime të ngjajshme duke theksuar se mosinformimi mbi pakon bazike në instanca të ndryshme mbetet një shqetësim për ekspertët prezent, si dhe udhëzuan që informimi i mirëfilltë i qytetareve, përshirë edhe personelin mjekesore, për përmbajtjen e pakos bazike është i domosdoshëm për te filluar implementimin e mbledhjes se premiumeve, gjegjësisht te skemës se sigurimeve shëndetësore.

Roli i shoqërisë civile është esencial në promovimin dhe monitorimin e respektimit të të drejtave të qytetarëve për qasje të lehtë në informata, metoda dhe mjete të planifikimit familjar. Koalicioni K10 do të shërbejë si një trup avokues i pavarur dhe monitorues mbi politikat dhe ligjet e implementuara për shëndetin dhe të drejtat riprodhuese, ku diskutimet e hapura shërbejnë në ngritjen e transparencës dhe nivelit të informimit të qytetarëve.

Koalicioni K10 i organizatave për shëndetin seksual riprodhues dhe të drejtat e shëndetit riprodhues është krijuar si rezultat i bashkëpunimit në mes të Aksionit për Nëna dhe Fëmije, Shoqatës Kosovare për Promovimin, Avancimin dhe Mbrojtjen e Shëndetit të Adoleshentëve (Shko-Pa-Msha), Asociacionit për Edukim dhe Zhvillim të Shëndetësisë (AHED), Artpolis, Shëndet për të Gjithë (Health for All), Qendrës Kosovare për Luftimin e Kancerit të Gjirit (Jeta/Vita), Fondit Kosovar për Popullsi (KOPF), Rrjetit Edukatorëve Bashkëmoshatar (PEN), Shoqatës së Drejtave të Pacientëve në Kosovë (PRAK), si dhe financohet nga Fondi për Popullsi i Kombeve të Bashkuara (UNFPA).