Banka Raiffeisen në Kosovë fiton çmimin FIDES për filantropi!

-Prishtina, Nëntor 30, 2017

Kemi kënaqësinë të ndajmë me ju këtë njoftim urimi për partnerin dhe donatorin tonë Raiffeisen Bank në Kosovë me rastin e pranimit të çmimit FIDES për kontributin filantropik në nivel kombetar. Banka Raiffeisen pranoi zyrtarisht mbrëmë këtë çmim presitigjioz, që ndahet nga Forumi për Iniciativa Qytetare – FIQ e që shpërblen punën dhe mundin filantropik të institucioneve, bizneseve, diasporës e individëve në Kosovë.

Në fillim të këtij viti ne nënshkruam marrëveshje bashkëpunimi me Bankën Raiffeisen për bashkëpunime në sektorin e shëndetit të nënës dhe fëmijës, bashkëpunim ky që këtë vit rezultoi në hapjen e dyqanit të dytë bamirës Teshavesha dhe hapjen e Qendrës Informuese “Klasat për Nëna” në Pejë.

Teshavesha është ndërmarrje sociale që mbledh rroba dytësore nga qytetarët e institucionet dhe bënë shitjen e tyre për të ngritur fonde shtesë në ndihmë të shëndetit të nënës e fëmijës në Kosovë. Ky dyqan poashtu punëson gra dhe vajza të margjinalizuara njëkohësisht dhe që nga hapja mbi 400 qytetarë në muaj mobilizohen për të dhuruar dhe blerë në Teshavesha. Ndërkaq, qendra informuese për shëndetin e gruas, tashmë i quajtur “Klasat për Nëna” është program edukativ në kuadër të nivelit parësor shëndetësor që ofron shërbime këshilluese pa pagesë për gratë e vajzat dhe partnerët e tyre rreth shtatzanisë, lindjes, kujdesit ndaj foshnjes dhe rritjes së fëmijës me metoda të diciplinës pozitive. Ditë më parë u hap qendra e 8-të informuese në Pejë, me ç’rast është e para në rajonin e Dukagjinit, bërë e mundshme falë Bankës Raiffeisen në Kosovë.

FIDES simbolizon mirënjohje publike për kompanitë dhe individët nga Kosova dhe diaspora të cilët në mënyrë sistematike dhe me ndjeshmëri ndaj ambientit, kulturës dhe vlerave tradicionale kanë mbështetur aktivitete dhe projekte të interesit të përbashkët.