30 Mars 2018, Prishtinë

Sot Aksioni për Nëna dhe Fëmijë dhuroi materiale për Pap-Teste në Institutin e Anatomisë Patologjike pranë Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. Ky donacion është bërë në kuadër të programit të Skriningut të kancerit të Qafës së Mitrës.

Programi i Skriningut të kancerit të Qafës së Mitrës filloi në 2016 duke synuar pilotimin e skriningut të kancerit të qafës së mitrës brenda 3 Qendrave të Mjekësisë Familjar në Prishtinë, për të realizuar skriningun në rreth 2,000 gra të kësaj komune, si dhe të zhvillojë planin e veprimit për komunën që të bëjë planifikimet humane dhe financiare për të ndërtuar programin e skriningut në nivelin gjithëpërfshirës nacional. Prishtina, po ashtu ka shërbyer si model për të avokuar në ndërtimin e sistemeve të skriningut edhe në komunat e tjera të Kosovës.

Në vitin 2016, ky pilot projekt ka mundësuar për herë të parë realizimin e skriningut në nivelin e kujdesit shëndetësor primar dhe rregullimin e bashkëpunimit me nivelin e kujdesit terciar, apo Institutin e Anatomisë Patologjike pranë Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. Me përkushtimin e stafit mjekësor në nivelin primar, projekti ka mundësuar trajnimin praktik dhe aftësimin e 7 mjekëve specialiste të mjekësisë familjare në Prishtinë për kryerjen e Pap-testeve.

Realizmi me sukses i projektit u mundësua falë bashkëpunimit në mes të Drejtoratit Komunal për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale të Komunës së Prishtinës, Bordit Nacional për Kontrollin e Kancerit, Ministrisë së Shëndetësisë, Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, Institutit të Anatomisë Patologjike të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Fondi për Popullsi i Kombeve të Bashkuara – UNFPA, Organizata Botërore e Shëndetësisë – OBSH, 700 for Science Foundation dhe iniciativës e koordinimit nga Aksioni për Nëna dhe Fëmijë.