Ambasadori kanadez Daniel Maksymiuk viziton Qendrën për Shëndetin e Gruas ‘Klasat për Nëna’
22.03.2018
22 Mars 2018, Prishtinë
Sot, ambasdori kanadez Daniel Maksymiuk vizitoi Qendrën Informuese për Shëndetin e Gruas ‘Klasat për Nëna’ në Klinikën Gjinekologjike/Obstetrike pranë Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, më 22 Mars, ku prezent ishte edhe Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili.
‘Klasat për Nëna’ është program në kuadër të fondacionit Aksioni për Nëna dhe Fëmijë ku qëllimi kryesor i këtij programi është të edukojë grate, duke filluar nga planifikimi familjar deri tek shtatzania dhe lindja. Qasja në informata të sakta është esenciale për të ndikuar në shtatzani dhe foshnje të shëndetshme. Gratë, në këtë Qendër marrin informacione këshilluese për kujdesin para dhe pas lindjes, depresionin post-natal, ushqyerjen me gji, kujdesin për të sapo lindurin, ushqimin e foshnjës, imunizimin si dhe kujdesin ndaj fëmijës.
Në përkushtimin për zgjerimin e kurrikulës edukative të Klasave për Nëna, Fondacioni Aksioni për Nëna dhe Fëmijë ka arritur të jetë përfituese e grantit nga Canada Funds for Local Initiatives/ CFLI. Në saje të këtij granti, kurrikula edukative e Klasave për Nëna është zgjeruar me temën “Ushqyerja e drejtë dhe Obeziteti tek fëmijë 0-5 vjeç”. Ky zhvillim i përgjigjet nevojave të shumë grave dhe partnerëve të tyre sa I përket dilemave lidhur me ushqimet adekuate për moshat e ndryshme, duke filluar nga lindja e foshnjave, rreziqet që pasojnë nga keq-ushqyerja, parandalimi i obesitetit, si dhe tema të tjera të ndërlidhura. Granti po ashtu ka mundësuar ngritjen e kapaciteteve të stafit në kujdesin shëndetësorë primar për temën cekur, ku 70 punëtorë shëndetësorë janë trajnuar me programin e akredituar nga Ministria e Shëndetësisë në Kosovë. Me informatat e marra gjatë trajnimit, do të zgjerohen këshillimet në Klasat për Nëna, duke synuar kështu edhe rritjen e numrit të përfituesve nga këto Klasa.
Klasat kanë për qëllim vetëdijësimin e nënave se si ushqyerja e fëmijëve pasqyron gjendjen e tyre të përgjithshme shëndetësore duke theksuar që për një rritje dhe zhvillim optimal, secilit fëmijë duhet t’i ofrohet shumëllojshmëri e ushqimeve.