Aksioni për Nëna dhe Fëmijë merr pjesë në organizimin e Task Forcës Kosovare për Kontrollin e Kancerit

Prishtinë, 24 janar 2016

Dje, me 23 janar 2016, Aksioni për Nëna dhe Fëmijë morri pjesë në Simpoziumin e 7të Ballkanik të organizuar nga LIV Hospital dhe Task Forca Kosovare për Kontrollin e Kancerit. Simpoziumi u organizua në formatin e tryezës së rrumbullakët për të diskutuar rreth Protokoleve të Skriningut, Diagnostifikimit dhe Menaxhimit të Kancerit të Qafës së Mitrës.

Dr. Fisnik Kurshumliu dhe Znj. Mrika Aliu, nga Aksioni për Nëna dhe Fëmijë, sollën eksperiencën e tyre gjatë pilot projektit të skriningut të kancerit të qafës së mitrës të zhvilluar gjatë vitit 2015. Nga ky pilot projekt përfituan 700 femra nga pap-testet pa pagesë të ofruara gjatë tërë vitit. Këto pap-teste përdorën metodën më të avancuar për skrining – atë me bazë likuide – që përdoret nga disa vende europiane që po ecin drejt metodave dhe teknologjive të avancuara për skrining. Pilot projekti pati edhe qëllime studimore dhe raporti me të dhëna do të publikohet së shpejti.

Përfaqësimi i Aksionit për Nëna dhe Fëmijë në këtë tryezë të rrumbullakët njëherit solli edhe zërin e komunitetit.