Aksioni për Nëna dhe Fëmijë dhe QMF 2 në Ferizaj vizitojnë komunitetet në Shtërpcë

Prishtinë, 22 janar 2016-

Përfaqësuesit e Fondacionit “Aksioni për Nëna dhe Fëmijë” bashke me përfaqësuesit e QKMF-së në Ferizaj Dr.Drita Lumi dhe Selvije Bislimi, sot ishin në vizitë pune në komunën e Shtërpcës me ç’rast u takuan me drejtorin e departamentit për shëndetësi dhe mirëqenie sociale, Z. Sabri Murseli, të komunës së Shtërpcës dhe me përfaqësues të shëndetësisë të komunitetit serb në këtë komunë.

Gjatë takimit u shqyrtua mundësia e hapjes së Qendrës Informuese për Shëndetin e Gruas ku do të mund të këshillohen shtatzënat e komuniteteve që jetojnë në komunën e Shtërpcës. Përfaqësuesit e QKMF Ferizaj sollën përvojën e funksionimit të mirë të QISHG-së në QMF II Ferizaj e cila u themelua në mars të vitit të kaluar. Dr. Drita Lumi dhe Selvije Bislimi ofruan bashkëpunim dhe përkrahje për hapjen e një qendre të tillë edhe në komunën e Shtërpcës.

Stafi punues i QMF-së në fshatin Drajkovc ku vizitohen pjesëtarë të të dy komuniteteve tregoi gatishmëri për t’u trajnuar dhe për të ofruar shërbime këshilluese për gra shtatzëna për të gjitha komunitetet si pjesë të integruar të shërbimeve ditore të QMF-së. Takimi i sotëm u përkrah dhe u mundësua nga drejtori i DSHMS-së në Ferizaj, Dr.Burim Karameta. Hapja e Qendres Informuese për Shëndetin e Gruas në komunën e Shtërpcës do të hapet së shpejti.