Aksioni për Nëna dhe Fëmijë bën Dorëzimin e Medikamentit Jetë-Shpëtues në Klinikën Neonatologjike në Qendrën Klinike Universitare Kosovës

Prishtinë, 7 Dhjetor 2016 – Më shumë se 200 shishe të medikamentit Surfaktant u shpërndanë sot në Klinikën e Neonatologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në vlerë me mbi $130,000.00. Ky donacion është dhënë me anë të bashkëpunimit të suksesshëm dhe të vazhdueshëm mes “Aksioni për Nëna për Fëmijë’ dhe organizatës ndërkombëtare AmeriCares si vazhdimësi e bashkëpunimit të gjatë me Klinikën e Neonatologjisë. Ky donacion mbulon nevojën kombëtare për vitin 2017.

Foshnjat që përjetojnë probleme të frymëmarrjes, kanë mungesë të surfaktantit – shtresë e lëngshme brenda mushkërive. Bebet zakonisht nuk fillojnë prodhimin surfaktantit deri disa javë pas lindjes. Pa sasi të mjaftueshme të surfaktantit vjen deri tek kolapsi i mushkërive dhe foshnjat e parakohshme nuk mund të marrin frymë. Andaj, Surfaktanti është thelbësor në parandalimin dhe trajtimin e RDS (Sindromit të Distresit Respirator) dhe redukton shkallën e vdekshmërisë të shkaktuar nga RDS. Gjatë 10 viteve të fundit, donacionet e Surfaktantit kanë shpëtuar jetën e 1,800 foshnjave të lindura parakohe dhe me peshë të ulët në Kosovë. AmeriCares, ofruesi më i madh botëror jofitimprurëse për dhurimin e medikamenteve, mundëson shpërndarjen e medikamenteve përmes programit ‘Qasja në Mjekësi’.

“Kemi kënaqësinë e veçantë që sigurojmë furnizimin me medikamentin e Surfaktantit edhe për një vit rradhazi me misionin për të ndihmuar të lindurit parakohe’, thotë Albiona Beha nga Aksioni për Nëna dhe Fëmijë, gjatë liferimit të medikamentit pranë Klinikës Neonatologjike në QKUK.

Ky medikament jetë-shpëtues është dhuruar nga AmeriCares dhe AbbVie në SHBA në partneritet me Aksioni për Nëna dhe Fëmijë. Ardhja e tij në Kosovë është bërë e mundur nga ngjarjet bamirëse të mbajtura në vitin 2016 si ‘Let’s Dance 2’ në Prishtinë, Kosovë, si dhe ngjarja ‘Meet Us Halfway’ në New York, SHBA.