Letra e Fundvitit

Prishtina, 12 Dhjetor 2017

E dashura mike,
I dashur mik,   

Ju mund të mos jeni të vetëdijshëm sa i madh mund të jetë kontributi dhe mbështetja juaj besnike për foshnjet e lindura parakohës, nënat e traumatizuara, fëmijët e sëmurë dhe familjet që ballafaqohen me dhimbje çdo ditë.

Një nga foshnjet që bashkë me ju ndihmuam këtë vit është e ëmbla Adora. Adora u lind para kohës, me 8 shkurt të këtij viti, dhe me peshë vetëm 870 gram. Koha kur foshnja lind dhe pesha janë esenciale në përcaktimin e gjasave të mbijetesës së saj. Foshnjet e lindura nën peshën 1000 gram kanë rreziqe më të mëdha për të shpëtuar apo gjasa më të mëdha për pengesa gjatë rritjes, krahasuar me foshnjet që lindin në kohë. Adora u pranua menjëherë në Klinikën Intensive të Neonatologjisë dhe qëndroi në inkubator për disa javë. Përderisa ishte në trajtim në inkubator, Adora gjithashtu morri medikamentin e Surfaktantitpër zhvillimin e mushkërive, u trajtua me sistemin e oksigjenit, rrahjet e zemrës dhe frymëmarrjes i’u matën me monitorët kardiopulmonar dhe analizat e saj të gjakut u monitoruan me pajisjen e CRP-së – të gjitha këto të mundësuara nga ju. Nëna e Adorës ndjeki sesionet edukative për gjidhënien dhe depresionin pas lindjes në Qendrat Informuese “Klasat për Nëna” – e mundësuar falë donacioneve tuaja. Nëna e Adorës gjithashtu u këshillua të bëjë rregullisht Pap-testin pa pagesë për të parandaluar zhvillimin e kancerit të qafës së mitrës – gjithashtu e mundësuar falë mbështetjes suaj. Dhe përderisa Adora po rritet çdo ditë, nëna e saj po dhuron rrobat në dyqanin tonë bamirës Teshavesha, ku ato pastaj po shiten dhe ri-përdoren për të ngritur më shumë fonde që të ndihmohen edhe fëmijët e tjerë në nevojë.

Falë mbështetjes suaj, ne kemi ndërtuar kështu një sistem të tërë të intervenimeve në shëndetin e nënës dhe fëmijës me secilin nga programet tona që po ekzistojnë falë jush. Falë jush së bashku po luftojmë në uljen e shkallës së vdekshmërisë së nënave dhe fëmijëve në vendin tonë. Por derisa nënat dhe fëmijët tanë vdesin apo vuajnë nga sëmundje që janë lehtë të parandalueshme, kemi ende shumë punë për të bërë!

Sot po ju shkruajmë t’ju falenderojmë dhe t’ju tregojmë mbi planet tona të punës për vitin 2018. Gjithashtu, dëshirojmë t’ju kujtojmë se ju ende mund të bëni një dhuratë të fundvitit duke dhuruar në ndonjë nga kanalet tona të donacionit dhe ndihmuar planet tona të vitit të ardhshëm.
Donacioni juaj sot do të thotë shumë për nënat dhe fëmijët në vendin tonë.

Me donacionet e juaja, në vitin 2018 ne zotohemi se:

-Do të vazhdojmë furnizimin me medikamentin e Surfaktantit për të plotësuar nevojën nacionale për të gjitha foshnjet në Kosovë;

-Do të sjellim pajisjen e CRP-së në Spitalin Rajonal të Pejës, pajisje kjo esenciale në bërjen e analizave të shpejta të gjakut pranë shtratit të foshnjes;

-Do të sjellim medikamente dhe pajisje mjekësore për materninetet nëpër Kosovë për të plotësuar nevojat e nënave shtatzëna;

-Do të zgjerojmë sistemin e transportit dhe referimit të foshnjeve nga spitalet rajonale për në Prishtinë. Prindërit dhe familjarët në vendin tonë sfidohen me sigurimin e transportit privat apo jo adekuat të foshnjes për trajtim të avancuar në Prishtinë;

-Do të vazhdojmë ofrimin dhe zgjerimin e shërbimeve të Qendrave Informuese për Shëndetin e Gruas ashtu që më shumë gra, vajza, burra e gra të kenë qasje në informata të sakta rreth shtatzanisë, lindjes, e rritjes së fëmijës, si dhe të zgjerojmë shërbimet e tyre përmes platfomrave digjitale dhe teknologjisë. Intervenimet e tilla po kontirbuojnë që nënat tona  të lindin foshnje më të shëndetshme;

-Do të ndihmojmë më shumë prindër rreth mësimit të praktikave për prindërim pozitiv që fëmijët tanë të rriten me metoda dhe frymë pa dhunë;

-Do të zgjerojmë programin e skriningut të kancerit të qafës së mitrës jashtë Prishtinës që të rritet numri i grave përfituese nga shërbimet pa pagesë të Pap-testeve, dhe kështu të avokojmë në ndërtimin e sistemin nacional të skriningut të kancerit të qafës së mitrës në vend;

-Do të avokojmë për shëndet më të mire seksual e riprodhues në komunitetin tonë përmes Koalicionit K10, grup ky i unifikuar i 10 organizatave vendore me qëllim të përbashkët;

-Do të zgjerojmë ndërmarrjen tonë shoqërore Teshavesha, që të promovojmë më shumë shprehitë e riciklimit përmes dhurimit të rrobave, punësojmë më shumë gra të margjinalizuara, dhe gjenerojmë fonde shtesë në ndihmë të nënave dhe fëmijëve në Kosovë;

– Do të sjellim ngjarje kreative të mobilizimit komunitar sic janë “Let’s Dance”, Darka e Diasporës, Çiklizmi rreth Kosovës për Fëmijët, Na Takoni në Gjysmë të Rrugës, Javët e Dizajnerëve, e shumë të tjera ashtu që së bashku të shpëtojmë jetë të nënave dhe fëmijëve në Kosovë dhe të bëjmë mirë.

Ju jemi shumë mirënjohës për gjithë mbështetjen tuaj këtë vit dhe urojmë të kemi atë edhe shumë vite në vazhdim.

Urime festat e fundvitit.