Letra e fundvitit

Prishtinë, 15 dhjetor 2015 –

Të dashur miq,
Po ju dërgojmë falenderimet më të sinqerta të gjithë juve që mbështetët Aksionin për Nëna dhe Fëmijë tërë këtë vit! Çdo dhjetor, shumica prej nesh mendojmë për dhuratën e fundvitit dhe sa herë afrohet momenti për ta bërë atë sfidohemi se ku ta bëjmë. Nëse nuk e keni bërë ende dhuratën e fundvitit do t’ju luteshim të konsideroni një donacion për “Aksionin për Nëna dhe Fëmijë” në Kosovë.

Viti 2015 ishte një vit shumë i suksesshëm për Aksionin për Nëna dhe Fëmijë! Duke iu falenderuar mbështetjes së shumë partnerëve, donatorëve dhe miqve, ne së bashku mund të krenohemi për:

* Arritjen e 230 flakonave të medikamentit të Surfaktantit në Kosovë – medikament ky jetik për të zhvilluar mushkëritë tek foshnjet e lindura para kohës dhe për t’shpëtuar ato. 250-300 foshnje trajtohen çdo vit me këtë medikament;

* Dorëzimin e aparatit të parë për përcaktimin e Proteinës C Reaktive (CRP) në Klinikën Intensive të Neonatologjisë që mundëson kryerjen e analizës së gjakut pranë shtratit të foshnjes dhe jo më në laboratorët jashtë klinikës. Kjo pajisje shfrytëzohet nga 30-35 foshnje çdo ditë;

* Hapjen e dy Qendrave të reja Informuese për Shëndetin e Gruas në Prishtinë dhe Ferizajku femrat kanë çasje në informatën bazike rreth shtatëzanisë, lindjes, kujdesit ndaj foshnjes e informatat e tjera rreth kujdesit antenatal të marra në gjuhën amë në një ambient të këndshëm dhome;

* 1200 gra që deri më sot kanë përfituar nga shërbimet pa pagesë të Qendrës Informuese për Shëndetin e Gruas. 80% e këtyre deklarojnë se janë më të përgatitura për procesin e lindjes dhe si rezultat kanë më pak komplikime dhe eksperiencë më të mirë gjatë lindjes;

* 700 femra që kanë përfituar nga testet pa pagesë rreth kancerit të qafës së mitrës me një nga metodologjitë më të avancuara: citologjinë e lëngshme. Kjo metodologji është konstatuar si një nga metodat më të sakta në zbulimin e kancerit falë kualitetit të pastër të mostrës dhe si e tilë është e vetmja në Kosovë;

* Implementimin e hulumtimit të parë rreth kostove dhe karakteristikave të lindjeve në Kosovë me të cilën ndërtuam një bazë të fuqishme për pozicionimin avokues të fondacionit karshi skemave të sigurimeve shëndetësore për nënat e fëmijët.


Shkalla e vdekshmërisë neonatale sot arrin në 10 për 1,000 lindje
, krahasuar me atë të 29/1,000 menjëherë pas luftës në Kosovë. Sivjet u deklaruan 0 vdekje maternale. Një arritje e tillë është punë e palodhshme e stafit të Klinikës së Neonatologjisë, Klinikës së Gjinekologjisë, institucioneve, partnerëve e organizatave të shumta, si dhe e kontributit tuaj – miq, anembanë globit që mbështetni këtë kauzë!


Këto arritje gjatë këtij viti tregojnë rolin e fuqishëm të përkrahjes suaj dhe reflektojnë besimin tonë se fondacionet humanitare nuk mund të ekzistojnë pa ju!

 

Kampanjat e këtij viti si #Vrapo për Zemra, #Çiklizmi rreth Kosovës për Fëmijët, si dhe #Të vallëzojmë për Nënat dhe Fëmijët i mundësojnë Aksionit për Nëna dhe Fëmijë të realizojë misionin e tij të shpëtimit të nënave dhe fëmijëve në Republikën e Kosovës dhe zbatojë planet për 2016-tën si më poshtë:
* Të sjellë flakonat e medikamentit të Surfaktantit në Kosovë për të mbuluar nevojën nacionale të vitit;
* Të sigurojë fotollampat për Klinikën Intensive të Neonatologjisë të cilat mundësojnë trajtimin e verdhëzës tek foshnjet, problematikë kjo aktuale tek fëmijët tane. Rreth 75% të fëmijëve lindin me problemet e verdhëzës;
* Të mbështesë rregullimin e sistemit të transportit të foshnjeve nga spitalet rajonale në Prishtinë. Rreth 300 foshnje në vit vijnë nga spitalet rajonale në Prishtinë në automjete private dhe pa kujdes intensiv, si rezultat i mungesës së sistemit të referimit;
* Të zgjerojë shërbimet e Qendrës Informuese për Shëndetin e Gruas ashtu që secilës grua t’i ofrohet çasje në informatën themelore rreth shtatzanisë, procesit të lindjes dhe kujdesit ndaj foshnjes;
* Të zgjerojë programin e skriningut të kancerit të qafës së mitrës ashtu që më shumë gra të përfitojnë nga testet pa pagesë dhe paralelisht të punojë në avokimin e ndërtimit të programit nacional të skriningut;
* Të vazhdojë të sjellë aktivitete kreative për ngritje fondesh, sikur Vrapo për Zemra, Çiklizmi rreth Kosovës për Fëmijët, dhe Të Vallëzojmë për Nënat e Fëmijët ashtu që së bashku të kontribuojmë në shpëtimin e nënave dhe fëmijëve në Kosovë;
Kontributi juaj sot mbështet planin tonë nga sigurimi i medikamentit të surfaktantit e deri tek ofrimi i testeve falas për detektimin e hershëm të kancerit të qafës së mitrës dhe zbatimi i së drejtës për shërbime cilësore shëndetësore për nënat dhe fëmijët e Kosovës.

Ne besojmë se me ndihmën e partnerëve dhe donatorëve, miqve tanë, do të ndihmojmë që të krijojmë kushte më të mira shëndetësore për nënat dhe fëmijët, duke i mundësuar kështu fëmijës një fillim të mirë të jetës. Fondacioni ynë është i përkushtuar ndaj realizimit të këtij qëllimi, por nuk mund ta bëjmë atë pa ndihmën tuaj.Faleminderit dhe urimet më të përzemërta për festat e fundvitit.

Aksioni për Nëna dhe Fëmijë