U mblodhën 33 mijë euro në ngjarjen bamirëse për nënat dhe fëmijët Let’s Dance

Ngjarja u mbajt me datë 21 shtator në Klan Arena. Fondet të cilat u mblodhën nga sponsorizimet dhe shitja e biletave arrijnë shumën 33 mijë euro.

Pas dy viteve pauzë për shkak të pandemisë Covid-19, edicioni i 6-të i ngjarjes bamirëse Let’s Dance u rikthye me shumë energji për të ndihmuar nënat dhe fëmijët në vend. Kësaj here ngjarja u mbajt në Klan Arena, ku morën pjesë rreth 400 mbështetës të misionit të AMC-së për përmirësim të shëndetit të nënave dhe fëmijëve.

Si çdo vit, qëllimi i kësaj ngjarjeje ishte që të mbledhë fonde të cilat më pas përmes Fondacionit Aksioni për Nëna dhe Fëmijë do të destinohen për të mbështetur programe të ndryshme shëndetësore për të siguruar medikamente dhe pajisje mjekësore për institucionet shëndetësore publike në vend.

Drejtori ekzekutiv z. Vlorian Molliqaj u shpreh mirënjohës dhe falënderues ndaj të gjitha kompanive që e kanë sponsorizuar këtë ngjarje, përfshirë këtu edhe vullnetarët, mbështetësit, partnerët dhe të gjithë të pranishmit.

Z. Molliqaj foli mbi rolin e filantropisë për të arritur ndryshimet rrënjësore në vend, duke theksuar se forcimi i sistemit shëndetësor duhet të jetë një prioritet për të gjithë ne pasi që vetëm me një sistem shëndetësor të fortë e të zhvilluar do të mund të ofrojmë shërbime cilësore shëndetësore për secilin qytetarë dhe poashtu të krijojmë kushte me të mira për punonjësit shëndetësorë të cilët çdo ditë e më shumë po largohen nga institucionet shëndetësore. Ai poashtu prezantoi para të pranishmëve arritjet kryesore të AMC-së përgjatë viteve të kaluara, duke nënvizuar mijëra jetë të foshnjave të shpëtuara falë pajisjeve mjekësore dhe medikamenteve të dhuruara nga AMC në institucionet shëndetësore në Kosovë.

AMC i falënderon të gjitha kompanitë të cilët dhanë kontributin e tyre duke e sponsorizuar këtë edicion të Let’s Dance: Crimson Capital (Sponsor Platin), BPB (Sponsor Platin), Albi Mall (Sponsor i Artë), Sponsorët e Argjendtë: Acibadem, Besa Pharm, Banka Ekonomike, Illyria Life, NLB Bank, Sonnecto, Lifestylediagnostix, KRK – Kreditimi i Rural i Kosovës, Hotel Sirius, Agani, Finca, Evnironmental Consulting Team, Kep Trust, Moneta, Besa Security, Ipko Foundation dhe Meridian Express.