sq
Fillimi

Qendra Informuese për Shëndetin e Gruas

Ne kemi themeluar programin e Qendrës Informuese për Shëndetin e Gruas. Qëllimi kryesor i këtij programi është të edukojë gratë duke filluar me planifikimin familjar deri tek shtatzania dhe lindja. Qasja në informata të sakta është esenciale për të ndikuar në shtatzani dhe foshnje të shëndetshme.

Gratë në këtë Qendër marrin informacione këshilluese për kujdesin para dhe pas lindjes, depresionin post-natal, ushqyerjen me gji, kujdesin për të sapo lindurin, ushqimin e foshnjës, imunizimin si dhe kujdesin ndaj fëmijës.

Gratë mësojnë nga videot, ligjëratat edukative, seancat në grupe të vogla dhe biseda e drejtpërdrejtë me mamitë, infermierët apo gjinekologët, të gjitha në një mjedis të rahatshëm me shumë ngjyra. Gratë mësojnë për ndryshimet normale që ndodhin gjatë shtatzanisë, shenjat paralajmëruese, ushqyerja me gji, kujdesi për të sapolindurin dhe ushqimi, si dhe aktivitetet fizike gjatë shtatzanisë.

Qendrat tona janë të hapura për gratë, nënat dhe çiftet. Përmes këtij programi ne synojmë të fuqizojmë rolin e pacientit/klientit dhe shërbyesve shëndetësor në vendim-marrje të përbashkët ku pacienti/klienti është në qendër të shërbimeve. Ky koncept ka dëshmuar ulje të shkallës së vdekshmërisë së nënave dhe fëmijëve në shumë vende të botës.


Qendrat tona Informuese për Shëndetin e Gruas janë të vendosura në:

1. Qendra 1: Klinika Obstetrike Gjinekologjike në QKUK, kati i parë, Prishtinë
2. Qendra 2: Qendra e Mjekësisë Familjare 4, Rr. Bajram Bahtiri (afër shkollës së Medresës), Prishtinë
3. Qendra 3: Qendra e Mjekësisë Familjare 2, rr. Remzi Hoxha, Ferizaj
4. Qendra 4: Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare “Dr. Nexhat Çuni”, Mitrovicë
5. Qendra 5: Qendra e Mjekësisë Familjare Drajkovc, Shtërpcë


Të interesuarit për të marrë pjesë në aktivitetet e qendrës mund të shkarkojnë orarin mujor dhe të vijnë apo të na kontaktojnë për t’u regjistruar në qendër. Pjesëmarrësit mund të vijnë vet, në çift, apo në grupe. Na shkruani përmes info@amchealth.org. 


FAKT: Rreth 2,500 paciente gra tashmë kanë përfituar nga përkrahja e Qendrave Informuese për Shëndetin e Gruas që nga janari 2014. 

Shkarko orarin e këtij muaji

Lajm i mirë

Sot, 20-25 foshnje në ditë shpëtohen falë shfrytëzimit të Sistemit të Oksigjenit, i instaluar pranë Klinikës Intensive të Neonatologjisë në QKUK. Ky sistem i shtrenjtë mundëson oksigjenin shtesë për foshnjet që të mund t’mbijetojnë dhe u mundësua nga Aksioni për Nëna dhe Fëmijë me përkrahjen e bizneseve lokale dhe individëve.