sq
Fillimi

Tregimi Ynë

Menjëhere pas lufte në Kosovë, në 2000tën, shkalla e vdekshmërisë së foshnjeve ishte 29 vdekje për 1000 lindje – kalonte normat Ballkanike dhe ato Europiane. “Aksioni për Nëna dhe Fëmijë” bashkë me partneret, donatorët dhe miqtë e tij ishte pjesë e betejës së shumë individëve që këtë shifër ta ulim në afro 11 për 1000 lindje sa është sot. Por beteja s’ka përfunduar ende!

Përreth “Aksionit për Nëna dhe Fëmijë” shumë individë nga Kosova dhe Shkolla Mjekësore në Dartmouth u bashkuan që ta përmbushin ëndrrën e tyre dhe fillimisht themeluan “Fondacionin për Nëna dhe Foshnje të Shëndosha” në 2009-tën, me iniciativën e Dr. James Strickler, bashkë-kryesues nderi, Drejtor i Bordit të Komitetit Ndërkombëtar të Shpëtimit dhe Dekan Nderi në Shkollën e Mjekësisë Geisel në Dartmouth. Bërthama e krijimit të këtij fondacioni buron nga programet e shëndetit primar dhe riprodhues të themeluara nga USAID e që u zbatuan nga Doktorët e Botës, AIHA, AmeriCares, Shkolla e Mjeksisë së Dartmouth dhe kolegët e tyre të shumtë në Kosovë.

Qysh nga 2013ta, individë me ndikim dhe vullnet të mirë nga fusha e shëndetësisë, biznesit, kultures dhe ekonomisë nga Kosova e Diaspora (përfshirë midis tjerësh Ardiana Bunjaku, Jehona Gjurgjeala, Rexhep Hoxha, Richard Lukaj, Bekim Ahmetaj, Ilirjana Bajraktari, George Little, Philip Sigwart, Ilir Hoxha dhe së fundi princesha e ardhshme Elia Zaharia) bashkuan forcat në përkrahje të kauzës dhe e rritën fondacionin në atë që sot quhet “Aksioni për Nëna dhe Fëmijë.”

Fondacioni sot është fuqizuar dhe udhëheqet nga Kosovarët, nga një Bord Udhëheqës aktiv dhe me përkrahje të fuqishme nga Diaspora në SHBA dhe Europë me misionin e shpëtimit të sa më shumë jetërave të fëmijëve dhe nënave në Kosovë.

Që nga themelimi ne kemi punuar bukur shumë në përmbushjen e misionit por ka ende shumë punë për t’u bërë. Shumë fëmijë vazhdojnë të vdesin pa arsye dhe nevojë. Për dallim nga periudha menjëherë pas luftës, përkrahja e shumë fondacioneve ndërkombëtare është zvogëluar, duke lënë kështu një nevojë të theksuar për punën dhe programet e “Aksionit për Nëna dhe Fëmijë” drejt shpëtimit të jetës së fëmijëve dhe nënave në Kosovë.

Lajm i mirë

Sot, 20-25 foshnje në ditë shpëtohen falë shfrytëzimit të Sistemit të Oksigjenit, i instaluar pranë Klinikës Intensive të Neonatologjisë në QKUK. Ky sistem i shtrenjtë mundëson oksigjenin shtesë për foshnjet që të mund t’mbijetojnë dhe u mundësua nga Aksioni për Nëna dhe Fëmijë me përkrahjen e bizneseve lokale dhe individëve.